Lajme

Hovenier: Propozimi i BE-së i përkohshëm, e shohim fundin e procesit me njohje reciproke

Jeff Hovenier
Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier ka thënë se propozimi evropian nuk është marrëveshja e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një interviste në RTV Dukagjini, Hovenier tha se procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë e shohin me njohje reciproke.

“Dua të them edhe se ky nuk është fundi. Kjo nuk është marrëveshja e fundit dhe nuk mund të jetë. Kjo është pako e përkohshme. Kjo është lëvizje e rëndësishme. Qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara mbetet i njëjtë, dhe presidenti Biden dhe sekretari Blinken iu referuan atij sërish në mesazhet e tyre për Ditën e Pavarësisë, hiç më larg se muajin e shkuar, se përfundimisht e shohim këtë proces duke rezultuar në njohje të ndërsjellë. Nuk po flasim që ajo të ketë në qendër njohjen eventuale të ndërsjellë, sepse ajo reflekton realitetin e gjendjes. Por, përkushtimi ynë ndaj kësaj, assesi nuk është zbehur apo zvogëluar”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan thotë se edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është duke punuar me urgjencë për të përfunduar plani i zbatimit me një aneks të 11 pikave të marrëveshjeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i mbështesin këto negociata, por natyrisht këto negociata të lehtësuara nga BE dhe i takon përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, që të përcaktojë ritmin dhe fushëveprimin e tyre negociatave. Sa e kam kuptuar, ai dëshiron me zell që të ecë përpara me një lloj urgjence, gjë që e mbështesim për të përfunduar një plan zbatimi, një aneks që do t’i marrë këto 11 pika të marrëveshjes dhe të hartojnë një plan se si do të zbatohen ato. Pres që këto negociata nuk do të jenë të lehta por SHBA-te do të jenë të jenë të përfshira sa kemi qenë deri tani në proces duke mbështetur dy vendet për të arritur”.

Hovenier thotë se pika e marrëveshjes në të cilën thuhet nivel i përshtatshëm i vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin.

“Pas muajsh spekulimeve, propozimi u publikua tani që të dy udhëheqësit u pajtuan se pas disa muajsh të spekulimeve, propozimi u publikua që të dy udhëheqësit u pajtuan se nuk kanë nevojë të negociojnë me tej për këto parime. Pra sërish mendoj se kjo çështja e nivelit të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovës është referencë për Asociacionin dhe sërish, dhe shumë herë i kam shprehur pikëpamjet e SHBA-ve se kjo është pjesë e saj, se përparim në çështjen e Asociacionit është pjesë e rëndësishme e zbatimit të kësaj marrëveshje dhe çka është më rendësi deri në një masë edhe për Kosovën që e përmbush atë vizion të përbashkët që e kemi si një shtet shumëetnik, sovran dhe demokratik”.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Hovenier thotë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.

“Mendoj se qëndrimi i SHBA-së lidhur me Asociacionin nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Ky nuk është qëndrimi vetëm i SHBA-ve dhe i vendeve të QUINT-it, si rrallë herë, kjo çështje në mënyrë specifike është referuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. SHBA-të mendojnë se Kosova ka nevojë që aktualisht t’i përmbush zotimet që i ka marrë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e cila është zotim i Qeverisë së Kosovës përmes Marrëveshjes së Brukselit”.

Madje, ambasadori potencon se ata nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka në kundërshtim me Kushtetutën e saj.

“Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështetë dhe nuk do të mbështesë diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, ka deklaruar ai.

Po kërkojmë një Asociacion të Komunave me Shumicë serbe që i bashkërendit më mirë funksionet që këto qeverisje komunale tashmë i kanë sipas Kushtetutës së Kosovës, në fushat si kujdesi shëndetësor, arsimi, rregullimi urban, planifikimi, që ua mundëson atyre që në mënyrë më efikase t’i përdorin, t’i përmbushin ato përgjegjësi, në një mënyrë që është domethënëse për komunitetin etnik serb”.

Kur jemi të Asociacioni, Hovenier thotë se nuk duhet të jetë shtresë e tretë e pushtetit dhe asesi përsëritje e Republikës Serbe.

“Siç e kam thënë, pritjet tona janë që të ketë përparim dhe do ta citoj sërish deklaratën e Departamentit të Shtetit “duhet të ketë përparim në krijimin e tij në këtë proces”. Në afat të gjatë, presim që të ketë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe. Gjithashtu, siç e thashë, presim që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që të mos jetë shtresë e tretë të pushtetit, assesi të mos jetë përsëritje e Republikës Serbe, por të jetë diçka që ua mundëson këtyre komunave të bashkërenditin çështjet e tyre se si i përmbushin funksionet e tyre komunale dhe që të bëjnë atë në mënyrë më efikase”, ka vijuar ai.

Ndërsa, i pyetur se kur Serbia do ta njohë Kosovës, Hovenier tha se kjo është një pyetje e vështirë por që mendon se në afat të gjatë kohorë, procesi i dialogut do të ketë njohjen e ndërsjellët. “Kjo është një pyetje mjaftë e vështirë, por mendoj që në afat të gjatë, ky proces do të jetë me njohje eventuale të ndërsjellë. Unë besoj kur Serbia të thotë se dëshiron që të jetë anëtare e BE-së e po ashtu kur BE thotë se e don Serbinë si anëtarë të saj”.

Tutje, Hovenier tha se ndër kushtet e Serbisë për anëtarësim në BE është edhe njohja e Kosovës.

/Shqip.com