Kulturë

Drita Beqiri-Ademi vjen me librin poetik: “Licht mit Regen”

Poetja tashmë e njohur, Drita Beqiri-Ademi, vjen me librin e saj të fundit poetik, të botuar në gjuhën gjermane, me titull: “Licht mit Regen” (Dritë me shi). Ajo ka një traditë të gjatë letrare dhe është dëshmuar me lirikat e saj poetike edhe jashtë kufijve shqiptar.

Beqiri-Ademi, për mediumin Shqip.com, ka thënë se përzgjedhja për ta botuar këtë libër në gjuhën gjermane vjen si shkas i asaj që poetja jeton dhe vepron në Zvicër, vendin ku flitet gjuha gjermane.

“Jetoj në Zvicër ku dhe flitet gjermanishtja. Është atdheu im i dytë. Atdhe gjuhësor – mendoj unë. Pas publikimit të poezive të mija nëpër forume të ndryshme letrare në gjuhën gjermane ku u mirëpriten dhe u vlerësuan lartë nga autorë gjermano-folës, vendosa ta botoj një përmbledhje me poezi në gjuhën gjermane”, ka thënë Beqiri-Ademi për Shqip.com.

Tematika e librit “Licht mit Regen”, sipas poetes, është dashuria, dhimbja, është vetë jeta!

Drita Beqiri-Ademi / “Licht mit Regen”

Të veçantë librin poetik gjithashtu e bënë forca e të shprehurit. “Këtë e kanë thënë dhe shumë autorë dhe lexues të poezisë time”, ka thënë tutje ajo.

Poetja Drita Beqiri-Ademi zakonisht shquhet për stilin e saj të të shkruarit gegnisht. “Unë zakonisht shkruaj gegnisht, dhe në këtë libër kam disa poezi që i kam përkthyer nga gegnishtja në gjuhën gjermane. Shumica e poezive janë të shkruara në gjermanisht”, ka thënë Beqiri-Ademi.

Ajo rekomandon edhe pse duhet të lexohet libri “Licht mit Regen”. “Këtë libër duhet lexuar ata që ndjejnë dhimbjen njerëzore, dashurinë, ata që kanë kaluar kriza apo ndodhen në kriza jetësore. Ky libër është i veçantë!”, ka thënë për fund Beqiri-Ademi.

/Shqip.com