Rama dënon sulmet ndaj EULEX-it, barrikadat bien ndesh me frymën e dialogut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dënuar sulmin ndaj patrullës së EULEX-it në veri të Kosovës.

Përmes reagimeve në Twitter, Rama tha se barrikadat në veri, bien ndesh me çdo frymë dialogu.

“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë”, shkroi Rama.

Rama tha se Beogradi duhet të shtojë ndikimin e vet tek serbët e veriut si dhe Bashkimi Evropian duhet ta thërras tryezën e dialogut.

“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.

Sipas Ramës, Beogradi duhet t’i përgjigjet me të njëjtën frymë Kosovës si presidentja, Vjosa Osmani ndaj zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese”.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.

EULEX flet për Shqip.com, konfirmohet sulmi ndaj tyre në veri – SHQIP.com

EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.