OP-ED Kolumne

“Për inat të Albin Kurtit, le të dështojë Kosova”!

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Ka mjaftuar një draft marrëveshje e rrjedhur në publik që të aktivizohen studiot televizive për të analizuar një dokument i cili tash së fundmi rezulton të ketë qenë asgjë më shumë sesa një “fake news” i radhës.

Një eufori e tillë më së miri shpjegon se si njerëzit i japin kompetencë vetvetes as që ia kanë haberin se çfarë është interes shtetëror.

Në të kundërtën, me një vëzhgim të ftohtë nga përmbajtja e asaj që cilësohej si propozim “franko-gjerman” për t’i dhënë epilog një marrëveshjeje potenciale midis Kosovës dhe Serbisë, mund të konstatohet lehtësisht se është prodhuar nga qarqe pro-serbe të cilave u është nevojitur vetëm një përkthyes në gjuhën shqipe që të prodhohet zhurma në opinion.

Dhe, fatkeqësisht, pre e kësaj zhurme ranë edhe vetë udhëheqës partiak opozitar!

Sot është e vërtetë se Kosova ndodhet në pozitën më të mirë gjeostrategjike për të imponuar një agjendë në dialog. Në mos tjetër, nuk është e detyruar që të bëjë koncesione të dhembshme siç ndodhi në të kaluarën kur për Kosovën vendosnin ata që interesin e vendit e kishin barazuar me fatin e tyre politik.

Të përfaqësuar nga pushtetarë pa hipoteka nga e kaluara, siç janë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, në rrethana kur Serbia mbetet aleate e vetme nga Ballkani e një shteti siç është Rusia, e përkrahur nga shtete të fuqishme në krye me SHBA, Kosova më së paku ka arsye të ngutet për një marrëveshje që do ta determinonte të ardhmen e saj.

Andaj, jo rastësisht udhëheqësit tanë shtetëror gishtin e drejtojnë tek përgjegjësit kryesor të kaosit ballkanik, Serbia, shteti që udhëhiqet nga pasardhësit e Millosheviqit dhe Sheshelit.

Por, në Kosovë, veçanërisht tek disa qarqe mediatike, mllefi dhe padurimi ndaj kryeministrit Albin Kurti është aq i thellë, sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se për ta nuk është me rëndësi as nëse dëmtohet vendi, përderisa një vendim i ngutshëm e dëmton politikisht dyshen Kurti-Osmani.

Të tillët kanë përkrahur çdo koncesion që pushtetarët e kaluar i kanë bërë Serbisë në të kaluarën. Ata kanë funksionuar me logjikën “Çfarë duhet të japim, e jo se çfarë duhet të kërkojmë”.

Andaj, sot dëshpërimisht shpresojnë se edhe pushteti i sotshëm do të përsëris gabimet e njëjta, veç që të thonë se “edhe këta janë si ata”. Nga kjo pritje e dëshpëruar, dikush duhet tua thotë se po shohin ëndrra me sy hapur. Se në Kosovë nuk do të përsëritet kurrë nënshtrimi me të cilin u përfaqësuam në të kaluarën.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com

/Shqip.com