Nagavci: Për rastin e djeshëm në shkollën “Xhemajl Kada” i kemi dërguar inspektorët

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Xhemajl Kada” në Pejë pasi u raportua në media se nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk u përfshinë në Festën e Abetares.
Nagavci përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se diskriminimi nuk ka vend në shkollat e Kosovës.
“Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka thënë se ministrja ka dërguar inspektorët në shkollë për t’u informuar më shumë rreth rastit.
“Për rastin e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intensiv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”, ka shkruar ministrja.
“Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar”, shkroi ajo./Shqip.com