Lajme

Jashari: Nesër grevë një orëshe, me 20 maj protestë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Kryetari i Sindikatës së Arsimit të Kosovës, Rrahman Jashari ka thënë se nesër do të organizojnë një grevë një orëshe ndërsa me 20 maj pritet të organizohet grevë e përgjithshme.

Këtë e ka bërë të ditur në një prononcim për Shqip.com.

‘’Nesër në bashkëpunim me federatat në kuadër të BSPK-së do të organizojmë një grevë një orëshe në të gjithë sektorët’’ ka thënë Jashari.

Jashari ka treguar edhe orën se kur pritet të nis greva.

‘’Grevë do të ketë në orën e parë të mësimit, kjo vlen për të dy ndërrimet, tek çerdhet do të vlejë ora e parë e punës, ndërsa në universitet greva do të mbahet nga ora 10 deri në ora 11’’ thotë Jashari për Shqip.com

Po ashtu Jashari ka thënë se si SBASHK janë në teren dhe janë duke bërë përgatitje për protestën që pritet të ndodhë me 20 maj.

‘’Jemi në teren dhe po përgatitemi për protestën e 20 maj e cila për dallim nga 8 prillit, kjo protestë do të jetë masive’’ thotë Jashari.

Kryetari i SBASHK-ut ka treguar edhe për tre kërkesat kryesore të tyre.

‘’1. Deri në miratimin të ligjit të pagave të vazhdojë mbështetja në pagë në shumën prej 100 eurove, 2.Kyqja e drejtpërdrejtë në procesin e ligjit të pagave, pra të marrim pjesë në diskutime, dhe nën 3. Të ketë ndryshime në ligjin për skema pensionale. Këto janë tre kërkesat tona’’ thotë Jashari.

Jashari thotë se javën e ardhshme pritet që të takohen me Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Ndërsa sa i përket takimeve me Kurtin, Jashari thotë se përveç një takimi me Kurtin tash e sa kohë nuk kanë fare komunikim me Kurtin./Shqip.com