Çmimi i specit në 4.49 euro, shkak mungesa e prodhimit vendor

Konsumatorët kosovar janë duke u furnizuar me speca në vlerë të 3.49 euro deri në 4.49 euro për kilogram.
Përveç specit, në muajin e fundit rritje kanë shënuar edhe perime e tjera si qepa e re në 2.49 euro, patatja 0.99 euro, e trangujt 0.99 euro.
Kjo ngritje e çmimeve të perimeve, po vlerësohet tejet e lartë dhe vështirë e përballueshme për qytetarët.
Ata ankohen se kostoja e shportës mujore është e lartë në krahasim me të ardhurat e tyre.
“Më herët kemi mujt me ble ma shumë produkte se tash, ka ardhur një kohë kur kemi krizë ekonomike e po ashtu kemi rritje të çmimeve, duhet që Qeveria me bo diçka në këtë drejtim, me u angazhu ma shumë” thotë Bekim Hasani për Shqip.com.
“Rritja e çmimit të produkteve bazë normalisht që ndikon në xhepin tonë. Rrogat në Kosovë në krahasim me çmimet janë shumë të vogla. Na si familjarë në fillim të muajit duhet me mendu se ku mi shfrytëzu paret, në cilat produkte”, thotë një banore tjetër e kryeqytetit, Leonora Bajraktari.
“Ka ardhur një kohë kur njerëzit janë duke u përballur me krizë ekonomike, rrogat e vogla e çmimet shumë të larta, po duhet me mendu kah me ja mbajt” thotë Besim Halimi.
Tahiri: Çmimet e perimeve do të jenë të larta deri në korrik, kërkon rritjen e serave me ngrohje
Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, thotë se këto çmimet pritet të jenë deri në muajin korrik, kur edhe do të ketë rritje të prodhimit.
Aktualisht ai tregon se nuk ka prodhim vendor, andaj çmimet janë të importuara.
“Para se me u rrit çmimet, çmimi ka qenë 1 euro për kilogram, por tash nuk ka prodhim nga bujqit. Rritjen e çmimit pastaj po na imponon importi sepse po vijnë me çmime të larta”, thotë Tahiri.
Megjithëkëtë, ai thotë se në vend duhet të rritet numri i serave me ngrohje, pasi numri i tyre aktualisht nuk e plotëson kërkesën e tregut.
“Në Kosovë ka pak bujq që kanë sera të mbyllura më ngrohje, pjesa ma e madhe janë në fushë të hapur. Pra, ne varet nga kultivimi në fushë të hapur. Një numër i madh i bujqve që kanë sera ata pritet të dalin më prodhime ma herët nga fillimi i majit, por është një numër i vogël dhe nuk arrijnë me furnizu mjaftueshëm tregun.”, ka thënë Tahiri.
Bujqit ankohen për rritje të çmimeve të farës dhe plehut artificial
Por, si duket çmimet nuk do të jenë si më parë.
Bujqit tregon se aktualisht janë duke u furnizuar me çmime të rritura të farës dhe plehut artificial.
Bujku Florim Bllaca, tregon për Shqip.com se brenda vitit çmimet e tyre gati janë dyfishuar.
“Çmimet janë rritur qe 2-3 muaj. Vitin e kaluar 1 mijë fara i kemi blerë 36-38 euro ndërsa sivjet për 1 mijë fara duhemi me paguar deri në 48-50 euro. Unë i prodhojë domatet e kuqe dhe të zeza, sallatë të gjelbër dhe disa produkte të tjera, të gjitha kanë rritje pa përjashtim. Përqafuesit që importojnë produkte prej shteteve të jashtme më herët për një kontejner kanë paguar 4,000 mijë euro, ndërsa sot paguajnë deri në 12,000 euro”, sqaron Bllaca.
Për më tepër, ai tregon se kanë problem edhe në sigurimin e lëndës së parë.
“Ne më shumë kemi probleme me lëndën e parë”, tregon ai.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasim për një inflacion prej 7.5 për qind në shkurtin e këtij viti, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
Rritje më të lartë kanë pësuar: vajrat, buka, mishi e prodhimet e qumështit, vajrat, e perimet./Shqip.com