Lajme Qasja në institucionet e nivelit lokal po del të jetë më problem sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për Shqip.com

Institucionet publike vazhdojnë të rezistojnë në ofrimin e dokumenteve publike

Qasja në dokumente publike

Nga gjithsej 7561 kërkesa për qasje në dokumente publike, 107 prej tyre nuk janë aprovuar.

Kështu është bërë e ditur në një përgjigje për SHQIP.com nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

“Numri  i  kërkesave të përgjithshme për qasje në dokumente publike, të mbledhura nga të gjitha institucionet publike që kanë raportuar para AIP-së, për vitin 2021, ka qenë gjithsej 7561. Nga to 7454 janë kërkesa të aprovuara sipas raporteve që ka pranuar AIP”.

Prej tyre, në 147 raste janë ankuan për shkak të mos ofrimit të tyre qysh në afatin e parë ligjor, prej shtatë ditësh.

Niveli lokal po del të jetë më rezistent për ofrimin e dokumenteve.

 “Ndër institucionet, për të cilat palët ankohen më së shumti janë: Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit; Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës; pastaj prokuroritë, Agjencia Kosovare e  Privatizimit, disa komuna si: Prishtina, Ferizaj, Fushë Kosova, Kaqanik, Obiliq Gjakovë, Klinë, Gjilan”.

Gjobat për mos ofrimin e dokumenteve publike variojnë nga 1 deri në 10 mijë euro.

Megjithëkëtë, se sa është numri i gjobave dhe ndaj kujt janë shqiptuar ato vitin e kaluar, AIP nuk ka treguar.

“Gjobat që ka të drejtë ti shqiptojë AIP ndaj institucioneve publike që refuzojnë apo kufizojnë qasjen ndaj dokumenteve të kërkuara nga palët, variojnë nga 1000 deri 10.000€. Pavarësisht kësaj, pas inicimit të procesit të ankimimit pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi, qasja e kërkuar, pas ndikimit të ushtruar nga AIP, ofrohet, më së largu, brenda 30 ditësh”.

Tutje, nga AIP-ja kanë bërë të ditur se nuk është janë në dijeni nëse ndonjë rast ka kaluar  në gjykatë për shkak të mosofrimit të dokumenteve pas shqyrtimit nga kjo agjenci./SHQIP.com