Kulturë

8 Marsi bashkon gratë shkrimtare

Gra shkrimtare, redaktore, botuese dhe përkthyese kanë marrë pjesë në një takim letrar në Qendrën Kombëtare të Librit në kuadër të ditës së gruas. Dasitë dhe sfidat gjinore, roli i gruas në shoqëri e letërsi, ishin temat që u sollën në diskurs.

Poetja Natasha Lako përshkroi përjetimet që pati kur lexonte Ana Frankun në vazhdën e një bisede për librat që i kanë shënjuar jetën e krijimtarinë. Ajo përmendi forcën për të gjetur të bukurën edhe në situatë tmerri

Helena Kadare, si shkrimtare dhe bashkëshorte shkrimtari, ofroi një qasje disi më të gjerë mbi emancipimin e gruas. Ndërsa solli në vëmendje librin që ka përkthyer në shqip, “Një grua në Berlin”, ajo u ndal në një kohë të errët në historinë e Gjermanisë se pasluftës dhe dhunën që përjetuan gratë nga ushtarët rusë.

“Ajo grua mbajti një ditar të ditëve pas luftës kur gratë u përdhunuan. Libri u botua në fillim me pseudonim dhe pati reagime të ashpra në Gjermani. Gjermania ndihej e fyer dhe nuk e pranonte se përdhunimet kishin ndodhur”, tha ajo.

Flutura Açka veçoi autoren Clarice Lispector e cila e ka udhëhequr në ditë të errëta. “Metamorfoza kur humba gjithçka e më mbeti vetja” ishte një nga frazat që lexoi Açka, pasi më parë pat ndarë ndryshimkn e qasjes mbi gjininë e shkrimtarëve para dhe pas hyrjes në parlament si deputete.

Diskriminimi gjinor shpesh i ka rrënjët në kulturën e një vendi, në mënyrën e jetesës dhe në vetëdijen se gratë, janë në mos asgjë, gjysma e shoqërisë, dhe çdo qasje përjashtuese, mënjanon më së paku gjysmën e një kombi ose një shoqërie.

/Shqip.com