Lajme

78% e nxënësve kanë kaluar Provimin e Maturës, asnjë nga ta si ka arritur 100 pikë

Provimi i Maturës

78.4% e nxënësve kanë arritur që ta kalojnë Provimin e Maturës, nderta asnjë nuk ka arritur t’i merr 100 pikë.

Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, ka bërë të ditur për Shqip.com se vetëm 79 nxënës kanë arritur të marrin mbi 90 pikë, dhe maksimumi i tyre është deri në 95 pikë.

“Dje kemi pas një keqkuptim, pas rishikimi të rezultateve është arritur kalueshmëria nga 73% në 78%. Keqkuptimi ka ndodhur në lëndët shoqërore si Sociologji, Psikologji, Edukatë Shoqërore dhe në Ekonomi. Nga 22 mijë nxënës që i janë nënshtruar testit, 17 mijë e 224 kanë arritur që të kalojnë dhe maksimumi i pikëve është 95, që do të thotë asnjë nga ta nuk i ka marrë 100 pikë”, ka thënë Elezi.

Sipas rezultateve nga MASHTI, 4 mijë e 776 nxënës nuk kanë arritur të kalojnë Provimin e Maturës.

Provimi i Maturës është mbajtur më 18 qershor dhe i njëjti kishte përfunduar me largimin e 100 nxënësve për shkak të përdorimit të telefonave.

Trendi për kopjim dhe për shpërndarjen e pyetjeve në grupet e ndryshme në rrjete sociale ka vazhduar edhe këtë herë./Shqip.com