Lajme

34 milionë euro është borxhi i komunave ndaj operatorëve privat

Komunat janë duke u zhytur në borxhe nga viti në vit duke treguar performancë të dobët në menaxhimin e financave.

34 milionë euro është borxhi i komunave ndaj operatorëve të ndryshëm. 

Këto njihen si obligime të papaguara ngase komunat kanë kryer shërbime nëpërmjet operatorëve privat mirëpo ato shërbime nuk i ka paguar në kohën dhe mënyrën e paraparë.

Kurse komunat mund të humbasin edhe 91 milionë euro të tjera pasi janë në kontest me palët e ndryshme nëpër gjykata. Këto borxhe njihen si borxhe kontingjente.

Të dhënat për problemet e komunave janë paraqitur nga Instituti GAP i cili ka mbajtur një tryezë diskutimi me temën  “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave”.

Bekim Salihu nga Instituti GAP deklaron se në vitin 2016 vlera e obligimeve kontingjente ishte 26 milionë euro kurse dy vite më vonë kjo shumë ishte rritur në 75 milionë  kurse në vitin 2020 shuma e borxhit kishte arritur 91 milionë euro.

 Komunat nuk kishin paguar detyrimet ndaj operatorëve  dhe borxhi për faturat në vitin 2016 ishte 15 milionë euro kurse në vitin 2020 ky borxh kishte shkuar në 34 milionë euro. 

Salihu deklaron se komunat nuk janë duke shpëtuar nga borxhet pasi palët janë duke i fituar kontestet nëpërmjet gjykatave. 

Thotë se përveç pagesës së borxhit komunat humbën edhe 2 milionë e 100 mijë euro pasi u detyruan që të paguajnë për shpenzimet procedurale.

“Ministria e Financave nga viti 2019 dhe 2020 ka ekzekutuar 18 milionë euro nga buxheti i komunave për palët e ndryshme. Problem po del të jetë fakti që përveç 18 milionë eurove janë ekzekutuar nga thesari edhe 2.1 milionë euro të tjera si shpenzime operative apo administrative që janë. Natyra e lëndëve të cilët janë procedurë kontestimore të cilët janë nëpër gjykata kanë të bëjnë me kompensim të dëmit, kompensim të shpronësimit, paga jubilare dhe paga suplementare, pagesa për transport, pagesa për shujta”. ka thënë ai.

Komunat nuk janë duke arritur të realizojnë as të hyrat vetanake ngase brenda një viti ato realizojnë rreth 79 milionë euro ndërsa të hyrat që nuk kanë arritur t’i mbledhin komunat deri në vitin 2020 janë mbi 204 milionë euro.

Ndërsa Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), theksoi se ky institucion ndër vite jep numër të madh të rekomandimeve për komunat mirëpo niveli i zbatueshmërisë së këtyre rekomandimeve nuk është i kënaqshëm. 

“Edhe pse rekomandimet  e dala nga ZKA-ja janë konkrete, në vitin 2020 vetëm 41 përqind e rekomandimeve janë marrë parasysh.  Në vitin 2020, ZKA ka dhënë 25 opinione të pakualifikuara dhe 15 opinione të kualifikuara”. ka thënë Spanca.

Ajo gjithashtu ftoi përfaqësuesit komunal që rekomandimet e dala nga ZKA-ja të merren parasysh dhe shprehi gatishmëri për bashkëpunim.  

Kurse kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi se se mekanizmat e Kuvendit të Kosovës nuk munden t’i adresojnë edhe çështjet që bien në nivel lokal.

Ajo kërkoi nga Kuvendet Komunale që të kërkojnë më shumë llogaridhënie nga kryetarët e komunave.  /Shqip.com