Lajme "Para pak ditësh kam qenë tek një koleg i imi që merret me hotelerinë dhe objekti i tij i ka dhomat me 50 euro dhe për fat të keq nuk kishte shumë prenotime, kështu që  mos të trembemi nga shifra të tilla", shtoi ai

250-350 euro nata në Vlorë, kryetari Leli thotë se luksi kushton

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli e cilëson si të kënaqshëm numrin e turistëve në këtë bashki.

Leli për Shqip.com tha se pret që pas 15 korrikut të ketë fluks të turistëve.

“Jemi në fillimin dhe në atë javën e parë të pikut të sezonit turistik në Vlorë ka interesim të kënaqshëm të qytetarëve për të vizituar Vlorën. Shpresojmë fort që nga 15 ditëshi i dytë i cili është kulmi i sezonit të kemi hotelet e mbushura dhe njerëz më tepër dhe të gjithë shprehim optimizëm pavarësisht problematikave që shfaq territori”, u shpreh ai.

E sa i përket çmimeve se një natë në Vlorë kushton nga 250 deri në 350 euro, Leli tha se luksi kushton.

“Nëse dikush ka preferenca për të pasur një dhomë me 100 metra katror që ka xhakuzi brenda, që ka ndonjë dhomë tjetër të ndarë për fëmijët apo gjëra të tjera, absolutisht që mund të ekzistojnë të tilla shifra por kjo është në bazë të kërkesës së klientëve. Kush ka pretendime që të shkojë në dhoma të tilla ku ka ndonjë shishe shampanjë për mikpritje apo diçka tjetër kjo është në standardet e atyre njerëzve që kërkojnë maksimumin”, tha ai.

Ndërsa shton se pushuesit mund të gjejnë dhomë të lirë që kushton 50 euro nata po që sipas tij nuk kishte interesim shumë të madh nga turistët.

“Para pak ditësh kam qenë tek një koleg i imi që merret me hotelerinë dhe objekti i tij i ka dhomat me 50 euro dhe për fat të keq nuk kishte shumë prenotime, kështu që  mos të trembemi nga shifra të tilla”, shtoi ai.

Leli në një bisedë për Shqip.com tha se ka mungesë të punëtorëve në gastronomi.

Ai tha se operatorët janë duke u munduar ta menaxhojnë mungesën e punëtorëve.

“Të gjithë presin që të kenë punonjës të kualifikuar ndërkohë që oferta është e lëvizshme dikush ofron më tepër. Hotelet e rijnë për të pasur sukses marrin punonjës të kualifikuar të njësive. Është një lëvizje migruese brenda territorit qoftë në territoret e tjera,  qoftë në bashkinë e Himarës apo në Bashkinë e Sarandës, në Dhërmi ose në zonat e tjera ku punonjësit e kualifikuar transferohen”, tha ai.

Në fund, Leli tha se Bashkia e Vlorës do të përpiqet të sjellë argëtim për turistët.

Ai tha se bashkia do ta bëjë angazhimin me evente artistike, muzikës klasike dhe me evente të rëndësishme të artit dhe kulturës që do të shoqërojnë të gjitha mbrëmjet e kësaj vere./Shqip.com