Kulturë

21 marsi i kushtohet vargjeve poetike

21 marsi, i kushtohet poezisë.

Dita Botërore e Poezisë, feston një nga format më artistike e shpirtërore të të shprehurit.

21 Marsi, shfaq vlerat e përbashkëta, letërsinë, artin e paqen.

UNESCO miratoi për herë të parë 21 Marsin si Ditën Botërore të Poezisë gjatë Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të në Paris në 1999 , me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen.

Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat gojore të reciteve të poezisë, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, vallëzimi, muzika dhe piktura, dhe për të rritur dukshmërinë e poezi në media.

Ndërsa poezia vazhdon të bashkojë njerëzit nëpër kontinente, të gjithë janë të ftuar të bashkohen.

Më poshtë për lexuesit e Shqip.com, sjellim disa poezi të poetëve më të njohur shqiptarë.

Dritero Agolli- Kur të jesh mërzitur shumë

Këtu s’do të jem, do jem larguar;

Nën tokë i tretur si të tjerët,

Në kafenenë e preferuar

Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,

S’do ndihet kolla ime e thatë,

Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur

Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,

Se s’do më kesh në dhomë të gjallë,

Dhe, kur në xham të fryje erë,

Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.

Në raft të librave kërkomë,

Atje i fshehur do të jem unë,

Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh

Dhe une do zbres, do vij pas teje;

Ti si dikur me mall do qeshësh,

Si një blerim pas një rrëkeje.

Ismail Kadare – Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.

Për ty unë befas ndjeva mall.

Jetojmë të dy në një qytet,

Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme

Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.

Qiejt e ngrysur pa lejlekë

Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit

Seç m’u kujtua sot për dreq :

Të zgjuarit janë bashkë në botë,

Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,

Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…

Ca pika shiu ranë mbi qelq

Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

Mitrush Kuteli – Sime shoqe

Kaq afër jemi, por kaq larg

Të lutem mos më prit-

Na ndajnë terre rreth e qark

Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd

Me një pafat si unë,

Kur di se emri im u shëmb

Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar

Ndaj jetës së gëzuar.

Dhe më harro këtu, në varr,

Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres

Një udhë fort të gjatë

Dhe një të martë, në mëngjes,

Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim

Po qetësi për jetë:

Pushim…harrim…pushim…pushim…

Në prehjen e vërtetë.

Ali Podrimja – Unë biri yt Kosovë

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,

t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta

e të shpërthej do si vullkan:-

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.

Unë biri yt.