2 mijë e 600 euro gjobë ndaj zyrtarit të Gjendjes Civile në Gjakovë, i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykimi dënues, ndaj të akuzuarit Mehmet Leka, zyrtar administrativ në Zyrën e Gjendjes Civile në Molliq të Gjakovës, duke e dënuar me 2 mijë e 600 euro gjobë, për akuzën se regjistroi në mënyrë të kundërligjshme, personin Sokol Tolaj si banor të Republikës së Kosovës, duke i mundësuar që të pajiset me dokument zyrtar të Gjendjes Civile.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Leka, është shpallur të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sulltan Dobraj.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Leka i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë e 600 euro, e cila duhet të paguhet në afat prej 3 muajve.
Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Sipas aktakuzës, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm, në kundërshtim me Ligjin 04/L-215, neni 29 dhe Udhëzimin Administrativ 05/2017, ka futur në sistem personin Sokol Tola nga fshati Botushë i Gjakovës, ku ka bërë gjenerimin e numrit personal, me çka i ka mundësuar në këtë mënyrë pajisjen me dokumente nga zyra e Gjendjes Civile.
Tutje sipas aktakuzës, pas kërkesës nga Ambasada Britanike në Tiranë drejtuar Komunës së Gjakovës për verifikimin e të dhënave për Sokolin, ka rezultuar se personi i tillë nuk është banor, konkretisht nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, e as prindërit e tij A.T dhe N.T nuk kanë qenë të regjistruar, raporton Betimi për Drejtësi.
/Shqip.com