10 ditë para zgjedhjeve, Veriu ende pa qendra të votimit

Dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në Veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.
Deri më tani është votuar në shkolla, por këtë herë shanset për këtë janë pothuajse joekzistente sepse ato kontrollohen nga sistemi serb në Veri, i cili i kundërshton zgjedhjet. Qendrat alternative, si dhe stacionet policore po ashtu janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit.
Moscaktimi i qendrave të votimit krijon dyshime se aktiviteti zgjedhor mund të zhvillohet, thonë ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, dhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), Eugen Cakolli, raporton REL.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.
/Shqip.com