Lajme

ZPS kërkon që Veselit t’i vazhdohet paraburgimi, thotë se ekziston rreziku i arratisjes

Kadri Veseli në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj Kadri Veselit.

Në shkresën e prokurorisë thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar secila në disa raste se paraburgimi i Veselit ishte merituar sipas rrethanave.

Veseli thuhet se vazhdon të përmbushë rrezikun e aplikueshëm të arratisjes.

“Mbetet rasti që Veseli është në dijeni për akuzat e rënda kundër tij, për shumicën dërrmuese të provave në bazë të tyre dhe për mundësinë e një dënimi të konsiderueshëm nëse shpallet fajtor. Që nga vendimi i fundit i paraburgimit, shtimi i dëshmitarëve të rinj nga ZPS-ja, zbulimi i dosjeve të mëdha të dokumenteve shtesë në përmbushjen e afatit të 30 shtatorit, si dhe depozitimi i një liste shtesë të Rregullës 102(3), i japin Veselit një pasqyrë të mëtejshme për rastin kundër tij”, thotë tutje prokuroria, raporton Betimi për Drejtësi.

Lexo edhe:
Konferenca e radhës për ish-ushtarët e UÇK-së më 4 nëntor

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/Shqip.com