ZPS dorëzon listën e përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë të saj në rastin Thaçi dhe të tjerët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar listën e përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë të saj në rastin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Në bazë të urdhrave, Zyra e Prokurorit të Specializuar (“SPO”) paraqet një listë të përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë që do të thirren në gjyq dhe, si të rëndësishme për këta dëshmitarë, deklaratat që synon të kërkojë të pranojë në përputhje me Rregullën 154”, thuhet në shkresën e ZPS-së.
Po ashtu thuhet se duke marrë parasysh natyrën e përkohshme të kësaj liste dhe fazën e procedurës, lista mbetet në shqyrtim dhe mund të nevojiten rregullime si për dëshmitarët ashtu edhe për deklaratat, raporton Betimi për Drejtësi.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
/Shqip.com