“Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kosovën”- shkrimi i fundit i ish-senatorit Bob Dole
“Nesër do të jetë një program virtual tërheqës dhe emocionues. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kosovën”.
Ky ishte postimi i fundit në Twitter i ish-senatorit amerikan, Bob Dole.
Dole kishte njoftuar ndjekësit e tij për një takim virtual që do të mbahej kushtuar Kosovës.
E katër ditë pas këtij publikimi, ish-senatori vdiq në moshën 98-vjeçare, përcjell Shqip.com.
Në njoftimin e lëshuar nga Fondacioni Elizabeth Dole thuhet se ai i shërbeu Amerikës besnikërisht për 79-vjet.
Dole, muaj më parë ishte diagnostifikuar me kancer në mushkëri.

Ish-senatori, kishte vizituar Kosovën në vitin 1990, bashkë me senatorë të tjerë amerikanë. Dole pati bindur administratën amerikane të angazhohej për Kosovën.
Në gusht të vitit 2020, ishte përuruar busti i Dole në Prishtinë në shenjë falënderimi për kontributin e tij ndaj Kosovës.
Përmes një video-mesazhi, Dole kishte shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.
“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole./Shqip.com