Sport Shqiptar

ZKA: Komuna e Lipjanit bëri shkelje në subvencionimin e KF Ulpianës dhe KF Arbërisë

Zyra e Auditimit të Kosovës ka publikuar raportet për komunat në vitin 2021.

Në raportin e Komunës së Lipjanit, përveç tjerash, thuhet se ka pasur shkelje në dhënien e subvencioneve për dy klube të futbollit.

Bëhet fjalë për KF Ulpianën dhe KF Arbërinë, të cilat ishin paraparë të fitojnë jo më shumë se 6 mijë euro nga komuna.

Mirëpo, kjo shumë ishte tejkaluar për Ulpianën dhe kishte arritur shifrën e 14,500 eurove, apo 41 % nga 30-të sa është e paraparë.

“Vlerësimi për mbështetje financiare për Klubin Futbollistik Ulpiana në vlerë 14,500€, nuk ishte bërë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. OJQ kishte aplikuar dhe ishin aprovuar 6,000€ apo 41% e vlerës së projektit për shpenzimet e pagave dhe mëditjeve për lojtar dhe staf profesional, në kundërshtim me thirrjen publike që ishte e paraparë 30%”, thuhet në raportin e ZKA-së për ekipin tashmë të rënë nga Superliga.

Po ashtu, edhe Arbëria nuk mbeti prapa duke marrë 9127 euro ndihmesë financiare, apo 16 për qind më shumë se vlera e paraparë (6 mijë).

“Shpenzimet për mbështetje financiare për Klubin Futbollistik Arbëria, nuk ishin bërë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. Për paga të lojtarëve janë aprovuar 6,000€ në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara, mirëpo shpenzimet sipas raportit financiar ishin pranuar nga komuna në vlerë 9,127€ me një tejkalim për 16% apo 3,127€ të shumës së lejuar”, u tha në raport për Arbërinë, që vitin e kaluar ishte pjesë e elitës së futbollit kosovar.

Sipas Zyrës së Auditimit, kjo ka ndodhur si pasojë e vlerësimit jo profesional dhe jo të drejtë të aplikacionit sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike nga komisioni i vlerësimit dhe monitorimit jo adekuat gjatë implementimit të projektit.

Subvencionet e ndara ishin dhënë në bazë të thirrjes publike për projektet që kontribuojnë në avancimin, afirmimin dhe zbulimin e talenteve te rinjë në sport në komunën e Lipjanit. /Shqip.com