Kulturë Kino

Zimo Krutaj vjen me poemën “Jona dhe deti”

Në panairin e ri të librit, të hapur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, zënë një vend të veçantë librat e rinj për fëmijë, të autorëve shqiptarë. Një ndër to është libri “Jona dhe deti” (poemë vere), shkruar nga Zimo Krutaj, botim i Shtëpisë Botuese “Mediaprint”.

“Ky libër është fitues i Fondit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për krijimtarinë letrare për fëmijë, viti 2022. Lexuesit e vegjël, por edhe ata më të rritur, marrin në duar një poemë të gjatë për fëmijë, që ka si pikënisje kontaktin e parë të një vajze të vogël me detin”, thuhet në faqen zyrtare të shtëpisë botuese “Mediaprint”.

Thënë ndryshe, është përshkrimi, historia, befasitë e ndodhitë e ditës së parë të vogëlushes buzë detit, në një lojë reale e imagjinare ku ndërthuret e shkrihet realiteti dhe trillimi, koha dhe hapësira. Në poemë, deti personifikon të panjohurën, të renë, të bukurën, atë botë të çuditshme e joshëse, atë mrekulli të kaltër që na kthen të gjithëve në fëmijë, që na nxit ta njohim e ta eksplorojmë në tërë bukurinë e pafundësinë e vet. Vajza (Jona) përfaqëson, me dëlirësinë, kureshtjen, përpjekjen dhe etjen e pafund (si deti), prirjen e lindur, të vetvetishme, të fëmijës për njohje, dije, imagjinatë, jetë, dashuri…

/Shqip.com