Kulturë

Zija Çela vjen me romanin “Banka e Ankesave”

Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë së sotme shqiptare. Ai dallohet për romane, novela, por ka lëvruar, kohët e fundit, edhe tregimin dhe esetë letrare.

Tani me vjen me romanin e tij të fundit “Banka e Ankesave”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, me seli në Tiranë.  

“Romani Banka e Ankesave, ashtu si dhe veprat e mëparshme të Zija Çelës, vjen me njetin e një furtune që do të shkundë përgjumjen e botës shqiptare, të asaj letrare, në radhë të parë. Sepse çdo shkrimtar i kësaj bote, përpara se të mendojë për marrëdhëniet e tij me botën e përditshme, i duhet të zgjidhë ca kontrata që ai vetë ka me kodet estetike”, ka thënë shkrimtari e publicist i njohur shqiptar Rudolf Marku.

I parë në këtë këndvështrim, sipas Markut, duke nënkuptuar begatinë estetike, “Banka e Ankesave” është një roman shumë më tepër e më kompleks se kaq. Libri ndërtohet me logjikën e arkitekturës danteske të Ferrit: shkatërrimi infernal i qenies njerëzore nga mekanizmat shtetërore burokratike e kontrolluese, me gjithë pasojat e një procesi të tillë – mozohizimi i viktimave dhe, si kundërgoditje, degradimi i vetë aparatit diabolik që survejon.

“Jemi shumë afër gjenetikisht me një ndër veprat më të njohura të Franc Kafkës, me “Koloninë Penale”. Ndërsa në letërsinë tonë, i afërmi më gjenetik i romanit të Çelës do të qe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, njëri ndër dy librat më të famshëm të Kadaresë”, vijoi Marku.

Kjo vepër e Zija Çelës, sipas tij, ka më pak personazhe nga romanet e tjera të tij, midis të cilëve ndonjëri e kalon edhe numrin njëqind. Autori e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u qëndruar gjithnjë afër karaktereve, në mënyrë që t’i bëjë sa më të prekshme, duke u dhënë mish e frymë. E po kështu, gjatë leximit, ndihet se veprën e përshkon një dhembshuri autoriale më direkte, më e shpallur para lexuesit.

“Romani fillon me një glob, teksa drejtor Zamarini, në ritualin e përditshëm të shtrirjes së krahëve, përfytyron se ka vetë rruzullin e Botës në duart e tij. Pastaj sërish përfundon me një glob tjetër, por këtë radhë me rruazën e pikës së lotit, me sekretin hyjnor të vuajtjes së qenies njerëzore, me globin e vërtetë jo vetëm të planetit Tokë, por të vetë Universit tonë”, ka thënë krejt në fund Rudolf Marku.

Romanin “Banka e Ankesave”, mund ta gjeni edhe në stendën e shtëpisë botuese “Onufri” gjatë Panairit të Librit 17-20 nëntor që mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

/Shqip.com