Lajme

Zgjedhjet në Himarë, kush do fitojë?

Himara zgjedh sot kryetarin e ri të Bashkisë, ndërsa në garë janë Vangjel Tavo nga PS dhe Petro Gjikuria, i mbështetur nga PD dhe partitë të tjera opozitare.

Zgjedhjet për Kryebashkiak të Himarës zhvillohen pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e mbajtura më 14 maj të 2023-it, ku Fredi Beleri, rezultoi fitues i procesit, por nuk arriti të ushtronte detyrën pasi dy ditë para zgjedhjeve u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Pavarësisht betejës ligjore, Beleri u dënua me dy vjet heqje lirie, duke humbur kështu mandatin, ndërsa sot rreth 23 mijë zgjedhës me të drejtë vote në Himarë do të zgjedhin një prej kandidatëve, Gjikurisë ose Tavos.

Himara prej vitit 2000 ka prodhuar vazhdimisht tensione dhe debate, veçanërisht mes Tiranës zyrtare dhe qarqeve të caktuara në Greqi, që e trajtojnë bashkinë e vogël në jug të vendit si një bashki minoritare.

Në 2003 dhe 2007, demokratët dhe socialistët janë bërë bashkë kundër kandidatëve të propozuar në atë kohë nga PBDNJ, për shkak se figurat e përzgjedhur nga kjo parti konsideroheshin si ekstremistë dhe me lidhje me qarqet e ekstremeve në Greqi.

Procesi i votimit në Himarë nis në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00.

Gjatë fushatës disa ditore zgjedhore nga kandidatët ka pasur pretendime lidhur me zhvendosjen e votuesve drejt Himarës.

Në bashkinë jugore janë rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre nga ora 07:00 deri në 19:00.

Votimi do të kryhet nëpërmjet identifikimit elektronik të zgjedhësve, ndaj për këtë proces janë dërguar edhe pajisjet përkatëse me kamerat monitoruese.

/Shqip.com