Lajme

Zemaj-Vitisë: Mungesa e menaxhimit tënd ka bërë që Kosova t’i thyejë të gjitha rekordet e zeza

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj i ka reaguar kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, i cili tha se për shkak të menaxhimit të tij në kohën sa ka qenë në krye të Shëndetësisë, Kosova tani ndodhet në situatë më të mirë sa i përket COVID-19.

Këtë deklaratë Vitia e bëri të enjten mbrëma në një përballje televizive me kundërkandidatin nga LDK-ja, Përparim Rama, të cilit ndër të tjera i tha se “ti nuk e kupton sistemin shëndetësor në Kosovë”.

Përparim Rama dhe Arben Vitia

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Zemaj, njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë.

“Arben Vitia, mungesa e menaxhimit tënd, ka bërë që Kosova t’i thyejë të gjitha rekordet e zeza-për nga vdekshmëria dhe numri i të të infektuarve me COVID-19. Vizatoja, Përparim”, ka shkruar ai në Facebook.

Arben Vitia ka lënë postin e ministrit të Shëndetësisë për të garuar për të parin e kryqytetit.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Rama ka siguruar 29.2%./SHQIP.com