Ndalet rryma në centralin bërthamor të kontrolluar nga Rusia, Zelensky: U kthye falë gjeneratorëve, shpëtuam nga një katastrofë

Presidenti i Ukrainws, Volodymyr Zelensky ka thënë se të enjten Evropa u përball me perspektivën e një katastrofe nga rrezatimi kur një central bërthamor i pushtuar nga Rusia u shkëput nga rrjeti i energjisë elektrike.
Siç ka raportuar BBC, Zelensky shtoi se vetëm për shkak të furnizimit me energji elektrike rezervë, centrali i Zaporizhzhia ishte në gjendje të funksiononte në mënyrë të sigurt.
Zjarret kishin dëmtuar më parë linjat e energjisë elektrike, duke ndërprerë centralin.
Ekziston një shqetësim në rritje për luftimet pranë kompleksit, i cili është centrali bërthamor më i madh në Evropë.
“Nëse gjeneratorët me naftë nuk do të ishin ndezur, nëse automatizimi dhe stafi ynë i uzinës nuk do të kishin reaguar pas ndërprerjes së energjisë, atëherë ne tashmë do të detyroheshim të kapërcejmë pasojat e aksidentit të rrezatimit”, paralajmëroi Zelensky.
Dëmi u shkaktua nga zjarret për të cilat agjencia shtetërore bërthamore e Ukrainës tha se kishin ndërhyrë në linjat e energjisë që lidhnin centralin të enjten, duke shkëputur përkohësisht Zaporizhzhia nga rrjeti kombëtar për herë të parë në historinë e saj.

“Si rezultat, dy njësitë e fuqisë funksionale të stacionit u shkëputën nga rrjeti,” thanë zyrtarët e Kievit.
Imazhet satelitore të marra të mërkurën treguan një zjarr të gjerë që digjej në afërsi të kompleksit bërthamor.
Presidenti Zelensky fajësoi për dëmin bombardimet ruse dhe në fjalimin e tij të natës akuzoi Moskën se i ka vendosur Ukrainën dhe Evropën “një hap larg” nga katastrofa.
Por guvernatori lokal i emëruar nga Rusia, Yevgeny Balitsky fajësoi ushtrinë ukrainase për sulmet, duke i akuzuar ata për shkaktimin e ndërprerjeve të energjisë në rajon si rezultat.
Nivelet e rrezatimit aty pranë mbetën normale pavarësisht se kompleksi bërthamor i Zaporizhzhia humbi furnizimin kryesor me energji të enjten, njoftuan zyrtarët lokalë.
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), tha se termocentrali “mbeti i lidhur me një linjë 330 kV nga objekti i afërt i energjisë termike që mund të sigurojë energji elektrike rezervë nëse është e nevojshme”, duke cituar agjencinë shtetërore bërthamore të Ukrainës.
Ai shtoi se të gjashtë njësitë e reaktorëve bërthamorë mbetën të shkëputura nga rrjeti i energjisë, pavarësisht se furnizimet ishin rivendosur më vonë.
Normalisht, centrali bërthamor furnizon një të pestën e totalit të energjisë elektrike të Ukrainës – kështu që shkëputja e vazhdueshme e tij nga rrjeti kombëtar do të përbënte sfida serioze për Ukrainën.
Vendi bërthamor është pushtuar nga forcat ushtarake ruse që nga fillimi i marsit, por vazhdon të operohet nga teknikë bërthamorë ukrainas./Shqip.com