Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë: Kurti jeton në një shtëpi 50 vjeçare dhe paguan 250 euro qira në muaj

Shtepia e Kryeministrit te Kosoves, Albin Kurtit

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, banon në një shtëpi 50 vjeçare në lagjen Taslixhe të Prishtinës dhe për të cilën paguan qira.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu tha se shtëpia në të cilën po jeton aktualisht kryeministri, nuk është plotësisht e shfrytëzueshme.

“Shtëpia në Taslixhe ku banon kryeministri nuk i ka 500 por 230 metra katrorë. Dhe kjo hapësirë nuk është plotësisht e shfrytëzueshme. Dy dhoma janë të papërdorshme, njëra është e bllokuar me gjësendet e pronarit e tjetra është dhomë e sigurisë. Shtëpia është e vjetër rreth 50 vjeç”, shkroi Kryeziu.

Kryeziu tha se qiraja mujore e kësaj shtëpie është 250 euro në muaj dhe se pronarët e saj, kryeministri i njeh prej vitesh.

“Kryeministri Kurti paguan qira mujore prej 250 euro. Ai banon në shtëpinë e bashkatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja që jetojnë në Drammen të Norvegjisë. Kryeministri i njeh ata që prej disa vitesh. Anëtarët e tjerë të familjes Zagragja i ka njoftuar më vonë, pasi që është bërë banor në Taslixhe”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai tha se pronarët kanë dashur që t’ia mundësojnë Kurtit të banoj pa pagesë, por që ky i fundit nuk ka pranuar.

“Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që Kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qiranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit”.

Tutje, Kryeziu tha se kryeministri kishte vendosur që ta ndërronte vendbanimin pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë./ Shqip.com