Lajme

Debati në Kuvend, në 12 tetor/ Zbardhet rezoluta e PS për Kosovën: Serbia të dorëzojë kriminelët!

Partia qeverisëse në Shqipëri i është drejtuar Kuvendit me një rezolutë që dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës, ku për pasojë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në dokumentin e dorëzuar tashmë në Sekretarinë e Kuvendit i bëhet thirrje Beogradit të dorëzojë kriminelët serbë.

“Kërkesë për mocion dhe miratim Projekt-Rezolutë “Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në Veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”– thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit.

Në pr/rezolutë kërkohet që Serbia të hapë një hetim transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë. Po ashtu, PS kërkon që KFOR-i të shtojë trupat në veri në funksion të ruajtjes së rendit dhe paqes.

“Partnerët të ushtrojnë ndikim për të ballafaquar Serbinë me rolin që ka patur në sulm. SHBA dhe BE të ngrenë alarmin për të parandaluar rrezikun që i kanoset paqes dhe sigurisë së Kosovës.” thuhet ndër të tjera në pr/rezolutë.

Parlamenti do të përfshihet në 12 Tetor në një séance maratonë me mocion nga ku do të diskutohet e miratohet një rezolutë për situatën në Kosovë propozuar nga grupi parlamentar socialist.

Draft rezoluta e dorëzuar në Kuvend reflekton qëndrimet e deritanishme publike mbajtur nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë prej datës 29 Shtator nga grupi parlamentar i PD është dorëzuar një tjetër rezolutë po për Kosovën. Ndërsa Lulzim Basha ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për qëndrimet e tij në raport me Kosovën si dhe deklaratën për KFOR-in që sipas tij duhet të marrë nën kontroll situatën në veri të Kosovës.

PS: Të unifikojmë rezolutat
Pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, deklaroi se do të punohet për unifikimin e një drafti të përbashkët me opozitën, për rezolutën për Kosovën. “Të unifikojmë draftet për rezolutën e Kosovës. Kjo është çështje protokollare e parlamentit. Ne nuk kemi rrëzuar interpelancë, kemi bashkuar dy kërkesat për rezolutë me interpelancën, por bashkuam kërkesat”, tha Çuçi.

Bardhi kërkon seancë urgjente për Kosovën
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi mbajtjen e një seance urgjente në Kuvend për mocion me debat dhe miratimin e rezolutës për situatën në Kosovë. “Është urgjente që të zhvillojmë mocionin me debat. Nuk mundet ne të jemi të fundit. PE e ka zhvilluar”, tha ai.

Përmbajtja e rezolutës
REZOLUTE PËR DËNIMIN E SULMIT TË ARMATOSUR TERRORIST NË VERI TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE MBËSHTETJEN E PËRPJEKJEVE PËR GARANTIMIN E SIGURISË DHE PAQES NË VEND E NË RAJON

-Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;
-Në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve të saj Kushtetuese.
-Në mbrojtje të vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon:
-Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare midis Shqipërisë dhe Kosovës.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
-Dënon ashpër sulmin e armatosur dhe të organizuar terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën një punonjësi të Forcave të Policisë së Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur nga radhët e saj.
– Përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin, në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosoves dhe destabilizimin e vendit.
-Mbështet çdo masë dhe veprim të ndërmarrë nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës për të parandaluar e goditur me mjete kushtetuese e ligjore përpjekjet për të cënuar, rrezikuar, sulmuar dhe rrëzuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, jetën. sigurinë dhe harmoninë e qytetarëve të saj.

-Kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës, të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizatorëve dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët.
-Kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen politike, logjistike e morale të akteve të grupit terrorist në veri të Republikës së Kosovës.
-Inkurajon dhe përkrah të gjitha institucionet e Kosovës për punën, përkushtimin dhe përpjekjet që synojnë integrimin e plotë dhe bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
-I bën thirrje Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë strategjik që të ngrenë në nivelin me të lartë alarmin dhe aksionin demokratik për të parandaluar rrezikun eminent që po i kanoset sigurisë dhe paqes në Kosovë, në rajon e më gjerë.
-Vlerëson se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj si dhe për sigurinë dhe paqen në tërë rajonin
– Mbështet përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për normalizimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë në një frymë paqësore e bashkëpunimi dhe bashkohet me qëndrimet e Presidentes së Republikës së Kosovës për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi mbi bazën e një projekti të përpiluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me asociacionin, i cili duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat legjitime të saj.

/Shqip.com