Lajme

Dosja e SPAK/ Ish-drejtuesi i policisë Erzen Breçani në grupin e kokainës, në 2021 iu kapën 931 kg drogë në 4 shtete

SPAK ka zbardhur dosjen me 11 të akuzuar mes të cilëve Erzen Breçani dhe shefi i komisariatit 6. Në deklaratë thuhet se grupit prej 11 persona që dyshohet se kryesohet nga Ervin Mata i janë kapur 931 kilogramë kokainë. Sa i përket policëve të inkriminuar, ka reaguar edhe ministri Taulant Balla i cili shprehet se bisedat në SKY po i bëjnë skaner bluve.

Katër dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë, janë bërë objekt i hetimit të prokurorisë së posaçme SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës i njohur me nofkën “Boli”.

Bëhet fjalë për një sasi prej 931 kilogramësh që është kapur në katër shtete. Sipas SPAK organizatorë të dërgimit të lëndës narkotike nga vendet e Amerikës latine në Evropë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.

Komunikimet telefonike në “Sky” të mbërritura nga autoritet Franceze dhe Belge, kanë hedhur dritë mbi këtë situatë, ku veç trafikut të kokainës, ky grup kriminal i përbërë nga më shumë se 11 persona, përgatitej edhe për vrasjen e kundërshtarëve.

Në planet për vrasje të Ervin Matës, Bujar Gërmizit dhe personave të tjerë ishin dy vëllezër shqiptarë që jetonin në Angli.

Por nga bisedat rezulton se Bujar Gërmizi interesohet për të vrarë dhe një biznesmen ndërtimi në Lezhë. Mësohet se Gërmizi ka komunikime për plane vrasjesh me Nuredin Dumanin.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla që thekson bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Sa i përket efektivëve dhe ish zyrtarët e lartë të policisë së arrestuar, Balla shton vetëpastrimin e policisë.

“Unë e kam thënë prej ditës së parë në këtë detyrë që vatrat e bashkëpunëtorëve të krimit të organizuar dhe dosja në fjalë është, do thoja, një “skaner” i qartë i mënyrës se si vatra kanceroze brenda Policisë së Shtetit ndër vite, sepse keni edhe ish-punonjës policie të përfshirë, kanë shërbyer si shërbëtorë të krimit të organizuar”.

Sipas njoftimit të SPAK nga 11 të akuzuarit masa e sigurimit personal është vendosur për shtetasen Jonida Babameto.

/Shqip.com