Lajme Ballkan

Xhaferi: Nevojitet përshpejtim i eurointegrimit të Ballkanit Perëndimor

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se bazuar me gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, sidomos rrethanat e ndryshuara gjeopolitike, nevoja për përshpejtimin e eurointegrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi shumë të madhe.

Këto komente, Xhaferi i bëri në takimin e 11-të të kryetarëve të Parlamenteve nga vendet e Evropës Juglindore për zgjerimin e BE-së, i cili mbahet në Budapest.

“Në drejtim të hapave konkret të eurointegrimit, në rrjedhë është përfundimi i fazës së skriningut të legjislacionit tonë, dhe është konstatuar nivel i lartë i harmonizimit me legjislacionin evropian. Skriningu nuk është vetëm operacion teknik, por edhe proces transformues i cili ka të bëjë me të gjitha segmentet e shoqërisë”, theksoi Xhaferi.

Në takimin me temën “Procesi i integrimit evropian në Evropën Juglindore” kryetari i Kuvendit përkujtoi se tashmë kaluan më shumë se 20 vjet nga samiti i parë në Selanik në të cilin u konkludua se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, pas plotësimit të Kritereve të Kopenhagës.

/Shqip.com