Xhaçka: Do ta mbështesim Kosovën në procesin e anëtarësimit në BE
Ministrja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka uruar Kosovën për aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Xhaçka tha se Shqipëria do ta mbështes Kosovën në këtë proces.
“Urime Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria do ta mbështesë dhe ndihmojë Kosovën në çdo hap të këtij procesi. Vendi i Kosovës është në BE ashtu siç edhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”, shkroi Xhaçka.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe zyrtarisht i ka dorëzuar Presidencës Çeke aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në Pragë, Kurti është pritur nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.
Pas dorëzimit të aplikimit, kryeministri Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova është në rrugën evropiane.
“Sot është një ditë e madhe për Kosovën, presim që të ketë mirëkuptim edhe nga këshilli dhe komisioni evropian që ne të bashkohemi familjes evropiane”, ka thënë Kurti.
Më tutje Kurti ka thënë se Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me zell për të arritur në këtë ditë.
/Shqip.com