William Walker nderohet me medaljen e “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit”

Ish-diplomati amerikan dhe ambasadori William Walker është nderuar nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj me medialen e “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit”.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Begaj përmes një postimi në Facebook.
“Nderova sot në emër të shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve, me një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” Ambasadorin Ëilliam G. Walker”, shkroi Begaj.
Begaj përmend edhe të bëmat e Walkerit në raport me masakrën e Reçakut.

“Ambasadori Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i pari që ekspozoi në mbarë botën si “një krim kundër njerëzimit” masakrën e Reçakut, ku u masakruan dyzet e pesë qytetarë të pafajshëm nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviçit, gjë që solli reagimin e menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar”.
Begaj tha se personalitetet si Walker duhet nderuar për të mos u harruar krimet e së kaluarës.
“Për të mos harruar krimet e së shkuarës si edhe në sfondin e agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë, për të ruajtur paqen dhe për t’i lënë një botë më të mirë fëmijëve tanë, vlerësojmë personalitete si Ambasadori Walker, shembull dhe mbrojtës i jetës, lirisë dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës, të rajonit e të kombit tone”.
Dje është shënuar 24-vjetori i masakrës së Reçakut në të cilën u vranë brutalisht 45 civil të pafajshëm e në mesin e tyre ishte edhe një 13-vjeçar.
Walker ishte ai që e cilësoi këtë akt tronditës si krim kundër njerëzimit dhe vetëdija e plotë ndërkombëtare u zgjua përfundimisht.
/Shqip.com