Sport Ndërkombëtar

Wilder shpalos planin e tij

Ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, Deontay Wilder, nuk e ka ndërmend të pensionohet.

Pak ditë para duelit ndaj Robert Helenius (15 tetor), në një intervistë për “Sky Sports”, ai ka deklaruar  se do të vijojë të qëndrojë në ring edhe për tri vite. Për këtë arsye, Wilder po i planifikon me kujdes sfidat e fundit të karrierës së tij.

“Gjithnjë jam përpjekur që të dueloj ndaj më të mirëve. Pas një viti pushim, po e rinis aty ku e lashë. Pak a shumë kam ende edhe tri vite karrierë para se të largohem përfundimisht. Kjo do të thotë se mund të zhvilloj maksimumi 9 duele të tjera ose ndoshta 6. Të shohim”, tha Wilder.

Amerikani rikthehet në ring një vit pasi humbi triologjinë ndaj Tyson Fury (tetor 2021). Wilder konsiderohet si boksieri me grushtin më të fortë në peshën e rëndë.

“Nuk me intereson se çfarë thonë njerëzit, për mirë apo për keq. Unë gjithnjë jam këtu. Jam i motivuar dhe dua të frymëzoj njerëzit në botë”, është shprehur Wilder.

“Jam nga ata boksierë që dueloj për pasion dhe jo për para. Unë nuk e shoh këtë sport si biznes, është biznesi ai që ka nevojë për mua. Ky sport ka nevojë për mua.  Jam gati për sfidën e radhës, kjo përballje ndaj Helenius do të jetë madhështore dhe le të fitojë më i miri”, u shpreh Deontay Wilder.

/Shqip.com