Vuqiq thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për në ora 19:00.
Sipas Kosovaonline, seanca është caktuar pas kërcënimeve të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në orët e mbrëmjes do të sulmojë serbët në barrikada me të gjitha mjetet.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.
Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.
Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.
Vlen të theksohet se zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor në veri të Kosovës, janë shtyrë deri me 23 prill të vitit 2023.
Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.
/Shqip.com