Lajme

Vuçiqi falënderon serbët që nuk po i lirojnë rrugët në kufi: Serbia është me ju

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka falënderuar qytetarët serbë të cilët kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinje dhe Bërnjak.

Përmes një videoje që ka shpërndarë në llogarinë e tij në Instagram, ka thënë se “serbët i kanë duart e lidhura dhe se duhet të luftojnë”.

“Faleminderit njerëzve për përkrahjen në këto ditë të vështira, faleminderit popullit tonë në Jarinjë e Bërnjak, Serbia është me ju”, ka thënë Vuçiqi.

Tash e tetë ditë serbët kanë bllokuar rrugët në Jarinje e Bërnjak, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia që hyjnë në Kosovë, gjë që vetë Serbia e bën për më se 10 vjet.

Protestat në veri pas vendosjes së masës së reciprocitetit të targave me Serbinë

Aty janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës për të monitoruar situatën. Ndërkohë, nga bashkësia ndërkombëtare kanë bërë thirrje që “të dyja palët të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut”./SHQIP.com