Lajme

Vuçiq: U parandalua një tentim për ta kryer çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se u “bënë përpjekje të premten për të zgjidhur gjithçka” për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, para takimit të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate këtë muaj, ku do të votohet për anëtarësimin apo jo të Kosovës.

Lideri serb tha se “përpjekjet u parandaluan falë ndërhyrjes në dy vende”.

“Ata u përpoqën dje, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të përfunduar gjithçka, dhe falë ndërhyrjes së dy vendeve, kjo nuk ndodhi”, tha Vuçiq të shtunën për gazetarë në Beograd.

Vuçiq nuk i shpjegoi “përpjekjet”, e as nuk tregoi se cilat vende “e parandaluan atë”.

Ai tregoi se më 7 prill do të udhëtojë në Paris, ku do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Ne po përballemi me ditë të vështira në lidhje me vendimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës, në Kombet e Bashkuara, me presionin e ashpër nga rajoni, Evropa dhe bota për këtë çështje, por vendi duhet të zhvillohet dhe të ecë përpara”, tha Vuçiq.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës kah mesi i këtij muaji, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Serbia e ka vazhduar kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.

BE-ja thotë se Marrëveshja Bazë është ligjërisht e detyruese për Kosovën dhe Serbinë.

Vuçiq kërkoi nga Qeveria serbe më 4 prill ta formojë një ekip për të lobuar kundër anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. /REL

/Shqip.com