Vuçiq reagon pas suspendimit të Stevanoviq: Albin Kurti ka vendosur ta sulmojë Serbinë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka folur për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për suspendimin e Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.
Përmes një video, Vuçiq ka thënë se me shkarkimin e gjykatëses serbe, Kurti ka sulmuar Serbinë.
“Me urdhër të Abin Kurtit, Liljana Stefanoviq është hequr nga institucionet e Kosovës si gjykatëse serbe. Përjashtimi i të gjithë komandantëve dhe zyrtarëve serbë të policisë që morën pjesë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, është përgatitur për mëngjes (e premte)”, ka thënë ai.
“Kurti ka shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe sipas tij dhe të tjerëve që e mbrojnë atë, marrëveshjet e Brukselit më nuk ekzistojnë. Kurti është ai që dëshiron ta prishë paqen në Kosovë. Me vendime të tilla, ai dëshiron që t’i sulmojë qytetarët serbë aty ku ata jetojnë”, ka thënë më tej Vuçiq.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 24 mars ka marrë vendim për ta suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.
Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të PK-së në këtë takim./Shqip.com