Vuçiq: Nuk i besoj Kosovës për formimin e Asociacionit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të shtunën se nuk i beson Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Nuk u besoj aspak atyre për këtë çështje sepse e di me kë kam të bëj ”, ka thënë ai për mediat serbe, transmeton Shqip.com.
Ndërsa, ka shtuar se Kosova është dashur ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe t’i tërheqë Njësitet Speciale nga aty, sepse siç ka thënë ai, “përndryshe ata do të ishin në telashe”.
Të enjten, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për targat. Marrëveshja është nënshkruar me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Nga java e ardhshme të dyja vendet do të vendosin afishe në simbolet shtetërore te targat e shtetit tjetër.
Për këtë marrëveshje, Vuçiq ka thënë s’ka qenë e lehtë.
“Nuk ka asnjë marrëveshje të lehtë për ne. S’ka asgjë të lehtë në Kosovë. Më 2008, ata shpallën pavarësinë dhe ajo njihet nga 90 për qind e shteteve më të fuqishme. Që nga ajo kohë, mezi mbajmë hundën mbi ujë. Jemi duke u mbajtur në kushte ku të gjithë bëjnë presion”, është shprehur presidenti serb./SHQIP.com