Vuçiq viziton Tiranën më 20 dhe 21 dhjetor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta vizitojë Tiranën më 20 dhe 21 dhjetor në kuadër të iniciativës rajonale “Open Balkan”.
Në takimin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi paraprak i “Open Balkan” është mbajtur më 4 nëntor në Beograd. Në takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe biznesmenë nga rajoni.

Në atë takim Vuçiq pati deklaruar se në takimin e radhës në Tiranë do të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi lidhur me lejet e punës.
Marrëveshja nënkupton lejen e punës që lëshohet nga tri shtetet pjesëmarrëse të “Open Balkan” dhe do të jetë valide në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni të Veriut./SHQIP.com