Lajme Botë

Vritet një ushtar egjiptian nga të shtënat në kufirin Rafah

Pikëkalimi kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Pikëkalimi kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

Një ushtar egjiptian është vrarë gjatë një incidenti me të shtëna në afërsi të pikëkalimit kufitar Rafah mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës, dhe për këtë ka nisur një hetim, tha një zëdhënës i ushtrisë egjiptiane të hënën.

Më herët, ushtria izraelite tha se po i heton raportimet për shkëmbim zjarri mes ushtarëve egjiptianë dhe atyre izraelitë.

“Para pak orësh [e hënë] ndodhi një incident me të shtëna me armë në kufirin egjiptian. Incidenti po hetohet dhe po mbahen bisedime me egjiptianët”, tha ushtria izraelite në një komunikatë për media.

Një hetim fillestar ka gjetur se personeli egjiptian i sigurisë kishte reaguar ndaj një shkëmbimi zjarri “mes forcave izraelite dhe pjesëtarëve të rezistencës palestineze, që bëri të ketë të shtëna në disa drejtime”, tha një burim për televizionin shtetëror të Egjiptit, Al Qahera.

Izraeli e mori kontrollin në pikëkalimin kufitar Rafah në anën kufitare të Gazës në fillim të këtij muaji kur e nisi ofensivën në qytetin Rafah, dhe për këtë u kritikua nga Egjipti.

Egjipti është i shqetësuar se palestinezët mund të zhvendosen nga Gaza nga ofensiva izraelite, dhe e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin se nuk po lejon futjen e ndihmave humanitare në enklavën palestineze. Izraeli i mohon këto akuza.

Egjipti dhe Izraeli e nënshkruan një traktat për paqe më 1979, dhe kanë bashkëpunuar ngushtë për çështjet e sigurisë përgjatë kufijve mes Izraelit, Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Rripit të Gazës,

Ato e mbajtën së bashku një bllokadë ndaj Gazës pasi Hamasi e mori kontrollin e territorit më 2007.

Incidentet e sigurisë mes këtyre dy vendeve kanë qenë të rralla. /REL

/Shqip.com