Vrasja e Sinwar/ Netanyahu thirrje Hamasit: Lironi pengjet! Vuajtjet pë popullin e Gazës mund të mbarojnë…
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinuar shënon “fillimin e ditës së parë pas Hamasit”.
“Hamasi nuk do të sundojë më Gazën”, premton Netanyahu në një deklaratë. “Ky është fillimi i ditës pas Hamasit dhe kjo është një mundësi për ju, banorët e Gazës, që më në fund të çliroheni nga tirania e grupit militant”.
Duke iu drejtuar familjeve të pengjeve, Netanyahu thotë se ky është “një moment i rëndësishëm” në luftë. “Ne do të vazhdojmë me të gjitha forcat tona deri në kthimin e të gjithë të dashurve tuaj, të cilët janë të dashurit tanë.”
Më pas, Netanyahu iu drejtohet civilëve të Gazës: “Sinuari ju shkatërroi jetën. Ai ju tha se ishte një luan, por në realitet fshihej në një strofkë të errët. Dhe ai u vra kur u largua në panik nga ushtarët tanë.” “Terroristëve të Hamasit u them: udhëheqësit tuaj po ikin dhe ata do të eliminohen,” vazhdon ai.
Kreu i qeverisë izraelite thotë se kushdo pengmarrës do të lejohet të jetojë nëse i lë armët dhe i liron robërit. “Dhe në të njëjtën kohë ju them, kushdo që dëmton pengjet tona, gjaku i tij do të jetë mbi kokën e tij”, deklaroi Netanyahu. “Ne do të bëjmë një llogari me të.” Netanyahu thotë se lirimi i pengjeve sjell fundin e luftës më afër.
Duke iu drejtuar popullit të Lindjes së Mesme, Netanyahu tha se ekziston “një mundësi e madhe për të ndalur boshtin e së keqes dhe për të krijuar një të ardhme ndryshe”.
Netanyahu u shpreh se vrasja e Sinuarit ua bën të qartë kritikëve në Izrael dhe jashtë saj pse qeveria e tij këmbënguli për të vazhduar luftën. “Ne këmbëngulëm, përballë të gjitha presioneve, për të hyrë në Rafah, kështjella e fortifikuar e Hamasit ku u fshehën Sinuar dhe shumë prej vrasësve”.
Megjithatë, paralajmëron Netanyahu, lufta nuk ka mbaruar ende dhe vazhdon të prodhojë pasoja të rënda.
/Shqip.com