Lajme

Vrasja e Marigona Osmanit, sot nis gjykimi ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut

Vrasja në Ferizaj

Gjykata Themelore e Ferizajt nis sot gjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut si të dyshuar kryesorë për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit në gusht të vitit të kaluar.

Lënda i është caktuar gjyqtarit Sahit Krasniqi dhe seanca është caktuar për në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Lexo edhe:
Babai i Marigona Osmanit: Në qoftë se Marigona do të jepte shenjë unë do ta kisha zgjidhur problemin, kur e pash foton ma mirë të më kishin vrarë

Sipas aktakuzës së prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, sipas prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Lexo edhe:
Babai i Marigona Osmanit: Nëna e Krivaqës më thoshte kam lidhje të forta në Kosovë e Shqipëri

Në fillim të këtij muaji u publikua edhe dosja e plotë e prokurorisë në rastin e Marigona Osmanit, ku përshkruheshin dëshmitë se si 18-vjeçarja ishte dhunuar e më pas kishte ndërruar jetë.

Nofullën e poshtme të thyer, thyerje të brinjëve, thyerje të unazave të qafës, këputje e palcës së qafës, lëndimet të syve, fytyrës dhe pothuajse në çdo pjesë të trupit, janë ato çfarë janë përshkruar në raportin e autopsisë.

Lëndimet e shumta apo siç thuhet në raport ‘poli trauma’, ka bërë që të vihet deri të vdekja e tanimë të ndjerës./SHQIP.com