Lajme

Dy të arrestuar për vrasjen e Liridona Murselit, mes të prangosurve edhe bashkëshorti i saj

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Mësohet se një nga të arrestuarit është Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit. Ai akuzohet për organizimin e vrasjes.

Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ajo theksoi se njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.

Dy ditë më parë familja Murseli ka qenë cak i një grabitje të armatosur në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku e vdekur ka mbetur gruaja. Sot ngjarja u zbardh dhe dinamika e saj është ndryshe teksa ka qenë bashkëshorti i të ndjerës porositësi i krimit tronditës.

/Shqip.com