Vrasja e 50-vjeçarit, “përmbyset” në Gjykatë versioni i Prokurorisë, Hysen Meta: Babanë e qëlloi motra, s’e bëra unë. Hygerta pranon krimin!

Hysen Meta, 24-vjeçari që akuzohet zyrtarisht nga Policia e Durrësit si personi që shkrepi armën dhe vrau babain e tij, e ka përmbysur këtë version.
Në Gjykatën e Durrësit ku u mbajt seanca për masën e sigurisë, Hysen Meta tha se babain e vrau e motra, Hygerta Meta 19 vjeç.
Ai ka treguar se mori autorësinë e krimit fillimisht për shkak të tronditjes psikologjike. Hysen Meta ka theksuar gjithashtu se babai i tij dhe motra kishin debate të vazhdueshme dhe shkak ishte bërë tentativa për të fejuar Hygertën e cila ndërkohë kishte nisur studimet e larta në Tiranë.
Hysen Meta në gjykatë:
“Nuk e kam bërë unë vrasjen. Të flasi ai që e ka bërë. Unë kam qenë prezent. Motra e ka qëlluar babain jo unë. Arsyeja është që donte ta fejonte me zor. Kishin debatuar shumë herë. Jo gjithmonë kam qenë prezent në debatet e tyre. Me babain marrëdhëniet jo shumë të mira. Kam qenë i hutuar dhe tronditur ndaj thashe që e kam bërë unë. Me ka ardhur keq dhe jam tronditur”.
Hygerta Meta ka deklaruar para togave të zeza se vëllai vogël dhe nëna nuk kanë qenë në banesë në momentin e vrasjes dhe se e kanë marr vesh lajmin pak më vonë.
Më pas ajo ka thënë se janë marrë me fshehjen e gjurmëve.
“Vëllai dhe nëna kanë mësuar vrasjen më vonë kur kanë ardhur në banesë. Jemi marrë me fshehjen e armëve dhe gjurmëve”, ka deklaruar Hygerta Meta në Gjykatë.

Hygerta Meta:
“Mendova t’ia lija vëllait fajin. Vëllai ka qenë në Itali dhe ishte kthyer pak ditë para ngjarjes. Në dhjetor me tha të fejohesh, i thashë jo. Nga refuzimi që i bëra, mendova se do të më vriste. Ka prishur bombolen e gazit me qëllim që të më vriste mua. Por unë nuk gatuaja më te bombola gazit, nga frika, gatuaja me korent. Njëherë e goditi nënën në zemër dhe e la pa frymë. Na kërcenonte vazhdimisht, do t’u vras, do t’u zhduk”.
Gjykata e Durrësit i la në masën arrest në burg të tre fëmijët e Pëllumb Metës, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi masë më të zbutur, arrest në shtëpi.
/Shqip.com