Lajme

Vranë babanë, tre fëmijët dalin nesër para gjykatës – po hetohet edhe…

Nga dosja hetimore e famijes Meta, kanë dalë detaje të reja në lidhje me motivin e ngjarjes, me tre fëmije të arrestuar dhe me nënën nën hetim.

Blerina Meta, nëna e tre fëmijëve të arrestuar, vendodhja e të cilës mbahet sekret për shkak të sigurisë, ndodhet nën hetim në gjendje të lirë e dyshuar se kreu veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Blerina Meta vazhdon ta mohojë që ishte në dijeni të ngjarjes, pavarësisht se në një nga dëshmitë e shumta që vajza ka dhënë mbi ngjarjen, dhe që prokuroria e ka pjesë të dosjes, thuhet se e ëma, kur ka ardhur në banesë ka ngelur e tronditur nga ajo që kishin bërë fëmijët.

“Kur mami u kthye në shtëpi u trondit nga ajo që kishim bërë. Të dyja qëndruam në shtëpi dhe pastruam vendin dhe divanin nga gjaku, aty ku vëllai qëlloi babi. Ne e ngjitëm divanin në kat të dytë, ndërsa dy vëllezërit u morën me groposjen e trupit”.

Kjo dëshmi e dhënë më herët nga fëmijët, është pasuar nga një tjetër dëshmi, që shfajëson të ëmën nga çdo impikim në ngjarje. Ata pretendojnë që nëna e ka mësuar këtë të vërtetë vetëm pasi e ka zbuluar policia.

“Mami ka dalë pasdreke pasi merej me punët e bujqësisë. Kur erdhi ajo nuk vuri re asgjë. Nuk u shqetësua për mungesen e babit, pasi mendoj që ka dalë për punë”, thuhet në një tjetër deklaratë të dhënë nga Hygerta Meta, duke shfajësuar në këtë mënyrë të ëmën si personi tjetër që kishte dijeni mbi krimin e kryer.

Në vijim të hetimeve versioni që vrasja ka ndodhur për shkak të një fejese të padëshiruar nga vajza, është rrëzuar. Nga dëshmitë e mbledhura nga policia familja ku mendohej se do të fejohej vajza 19-vjeçare kanë dhënë version tjetër. Ata kanë deklaruar se pavarësisht dëshirës së tyre për të lidhur krushqi me familjen Meta, i ati vajzës Pëllumb Meta ua kishte bërë të qartë se krushqia nuk mund të bëhej pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk kishte plane për ta fejuar.

Në dosje thuhet se “Në interes të hetimeve u janë marrë deklarime dhe shtetasve O Q. , R. Q. E. Q.  ku shtetësja E. Q ka deklaruar se ka pasur dëshirë që të lidhte krushqi me familjen e viktimës por që ky i fundit nuk ka pranuar pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk ka pasur plane për ta fejuar”.

Tre fëmijët e arrestuar, Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta të hënën pritet të dalin në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë.

Mbi Hysen dhe Hygerta Meta rëndojnë akuzat e “Vrasjes për rrethana familjare e kryer në bashkëpunim” dhe “ fshehje e kufomës”. Ndërsa Amarildo Meta, akuzohet për fshehje të kufomës dhe “armëmbajtje paleje”.

Lexo edhe:
Zbardhet krimi tronditës në Durrës, 19-vjeçarja mori përsipër vrasjen e babait, por mbi të qëlloi vëllai i saj

/Shqip.com