Lajme

Votohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Krasniqi: Krenar që PDK i ka prirë këtij procesi

Memli Krasniqi - Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas votimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, tha se kjo është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në vend.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se ndjehet krenar që PDK i ka prirë këtij procesi.

“Pa asnjë mëdyshje, kjo është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në vendin tonë në mbi një dekadë, e për të cilën jam tejet krenar që PDK e ka udhëhequr si proces”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se në Ligjin e ri janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të BE-së, të KQZ-së dhe të organizatave të shoqërisë civile.

“Reformat dhe lehtësirat në votim e proces adminsitrativ janë rrënjësore dhe do ta bëjnë diferencën në zgjedhjet e radhës – duke mundësuar një proces zgjedhor edhe më demokratik, më transaprent dhe më me integritet. Për mërgimtarët tanë, kemi lehtësuar procesin e regjistrimit të tyre, duke u krijuar mundësinë që të votojnë nëpër ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, por edhe që të dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës në shtetet ku jetojnë – duke eliminuar shpenzimet e shumta që ata kanë pasur deri sot përmes dërgimit të fletëvotimeve në Kosovë”, tha Krasniqi.

Tutje, ai sqaroi që sipas ligjit të ri, votuesit, qysh në zgjedhjet e përgjithshme të radhës, do të kenë mundësi të votojnë deri në dhjetë kandidatë, nga pesë sa kanë pasur deri tash, duke u dhënë më shumë mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit që ata dëshirojnë.

“Për të rritur transparencën dhe për të eliminuar dyshimet dhe parregullsitë, votat për deputetë do të numërohen nën monitorim të shtuar nëpër qendra komunale të numërimit dhe jo në vendvotime, ku do të numërohen vetëm votat për subjektet politike”, tha Krasniqi.

/Shqip.com