Lajme

Von der Leyen: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është duke qëndruar në Kosovë, ku ka zhvilluar një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, von der Leyen, ka thënë se me Osmanin ka zhvilluar një takim shumë të mirë dhe me biseda intensive.

Sipas saj, Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe se po punohet që të binden gjitha shtetet që kosovarëve duhet t’u hiqen vizat.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave. Tani kemi rikonfirmuar që i keni plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë tani është që ta bindim të gjithë Këshillin Europian – shumica nga ta tashmë janë në anën tuaj”, tha Von der Leyen.

Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë, pasi siç tha, kjo padrejtësi e madhe për kosovarët duhet të përfundojë pa kritere të reja teknike.

“Kosova për fat të keq sa i përket vizave vazhdon të trajtohet me një standard tjetër. Qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës edhe pse kemi bërë reforma në sundimin e ligjit. Përkundër plotësimit të të gjitha kritereve, akoma nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave”, deklaroi ajo para mediave.

Tutje, Osmani shtoi se vizita e Von der Leyen rikonfirmon përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Është vendimtare që BE-ja të na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë në përballje me krizat me të cilat po ballafaqohemi.  Shpresojmë që nëpërmjet një bashkëpunimi të afërt do të identifikojmë mekanizmat e duhur për lehtësimin e përballjes me rritjen e çmimeve të energjisë, investime në projekte në burime të ripërtërishme të energjisë, investime në përmirësimin e infrastrukturës së energjisë dhe në masa të eficiencës së energjisë”, tha Osmani.

Sipas saj, ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.

/Shqip.com