Von Cramon i reagon Grenellit: Pika kufitare në Merdarë u ndërtua nga taksapaguesit e BE-së

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i ka reaguar ish të dërguarit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, pasi gjatë vizitës në Merdarë tha se kjo pikë kufitare është vënë në funksion nga Trump.
“Do të ishte mirë nëse do të ishte e vërtetë”, ka shkruar Von Cramon, duke shtuar se pika kufitare në Merdarë është ndërtuar me paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian.
“Pika kufitare Merdarë u ndërtua nga 6 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së. Herën tjetër në vend që të riemërtoni liqenin e Ujmanit sillni edhe pak para”, ka shkruar ajo në Twitter.
Would be nice if it was true.
Merdare CC point was built by 6m euro of EU taxpayers’ money.
Next time instead of renaming the Gazivode lake bring some money, too. https://t.co/cI8QZcxwB0
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) November 11, 2021
Grenell po qëndron për vizitë në Kosovë. Të enjten derisa ka kaluar përmes pikës kufitare në Merdare për në Serbi, ka folur për Televizionin 7, duke thënë se akuzat e opinionistit serb, Dusan Janjiq, se ai paguhet nga Serbia janë të pavërteta.
Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, të cilën e ka cilësuar si shumë politike dhe se kjo e fundit sipas tij, ka parandaluar një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ish-diplomati amerikan ka bërë të ditur se ka biseduar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që ndodhet në Hagë, dhe ka potencuar se pret që sistemi i drejtësisë të punojë sa më shpejt në rastin e tij.
“Mendoj se duhet ta lëmë sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij. Unë uroj që ata të jenë shumë më të shpejtë. Është e turpshme që u deshën 20 vjet për të arritur në këtë pikë. Mendoj se gjykata është shumë politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”, është shprehur Grenell.

Ish-diplomati amerikan ka folur edhe për punën e gazit, duke thënë se Kosova ka refuzuar të pranojë para nga SHBA-të për të shtyrë përpara këtë projekt.
Madje e ka kritikuar Qeverinë Kurti për refuzimin e projektit amerikan të gazit, pasi sipas tij përdorimi i qymyrit është i dëmshëm.
“Çfarë kemi parë prej qeverisë aktuale është një refuzim për të hollat e SHBA-së për gazin. Do të ishte më lirë dhe më e shëndetshme për njerëzit e Kosovës”.
“Do të dëshiroja që ambasada amerikane të ishte më e qartë në këtë drejtim. Ata e humbën mundësinë që të jenë më të qartë”, ka potencuar ai.
Tutje, ish-ambasadori amerikan në Gjermani u shpreh se Administrata Biden duhet të jetë më agresive në Ballkan.
“Ideja që ShBA-ja është duke pritur Brukselin është frustruese. Ne duam të shohim më shumë veprime sa i përket dialogut. Administrata Biden duhet të jetë më agresive. Ata duhet të jenë më aktivë në Ballkan duke e caktuar një Emisar Special. Nuk e kam parë Joe Bidenin duke folur për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë”, vazhdoi ai./SHQIP.com