Vjosa Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e nënës së Kadri Veselit: Sakrifikoi dhe kultivoi atdhedashuri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për vdekjen e nënës së tyre, përcjell Shqip.com.
Përmes një telegram ngushëllimi, Osmani u shpreh se ajo jetoi afër një shekulli dhe ishte grua që u sfidua dhe dëshmua duke luajtur rol të rëndësishëm në kultivimin e atdhedashurisë në familje.
“E nderuara familje Veseli, me dhembje e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të nënës suaj, Ajshe Veseli. Ajo jetoi afër një shekull dhe ishte një grua që u sfidua, sakrifikoi dhe u dëshmua, duke luajtur rol të rëndësishëm në kultivimin e atdhedashurisë në familje.
Kujtimi për nënën mbetet i paharruar, ndaj e nderuar familje Veseli, jetoni me kujtimet më të mira për nënën Ajshe! Në këto çaste të vështira, bashkëndjej me ju!”, thuhet në telegram ngushëllimin e Osmanit.

Ndryshe, Ajshe Veseli, nëna e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur të premten e 7 janarit, në moshën 93-vjeçare.
Ndërkaq, zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka deklaruar se ish-kryeparlamentari Kadri Veseli mund të lirohet nga paraburgimi në Hagë për varrimin e nënës së tij, Ajshe Veseli.
Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Shqip.com, ajo ka thënë se Paneli përgjegjës do të vendosë për kërkesën që Veseli të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, por nuk ka treguar nëse një kërkesë e tillë është bërë nga ish-kryetari i PDK-së.
“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare”, thuhet në përgjigjen e Griep.
Në anën tjetër, familjarët e Veselit kanë thënë për Shqip.com se tashmë kërkesën e kanë adresuar tek avokatët dhe po presin konfirmimin e tyre për përfundimin e procedurave./SHQIP.com