Kulturë

Vjen në shqip “Herzogu” i autorit Saul Bellow

Vjen në shqip botimi me i ri nga autori Saul Bellow me titull “Herzogu”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Botimet Morava”. Libri është përkthyer me mjeshtëri nga Griselda Zaimi.  

Kjo është historia e Moisi Herzogut, një mesoburrë në depresion, shakaxhi, qaraman dhe magjepsës. Megjithëse jeta e tij vazhdimisht merr rrokopujën – ai ka dështuar si shkrimtar, si mësues dhe si baba, ka humbur dashurinë e gruas së tij, ka humbur respektin e miqve më të afërt – Herzogu e sheh veten si një të mbijetuar, si nga fatkeqësitë e tij personale ashtu edhe ato të brezit të tij.

Herzogu u shkruan letra miqve dhe armiqve, kolegëve dhe njerëzve të famshëm, të gjallëve dhe të vdekurve, duke zbuluar perceptimin e tij të hidhur për botën dhe sekretet më të thella të zemrës. Por ato letra nuk i dërgoi kurrë.

Pas botimit të tij “Herzogu” u kthye në një roman bestseller, duke e rritur famën e Saul Bellow-t si për publikun, ashtu edhe  për kritikët – si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm amerikanë të shekullit të njëzetë.

Romani fitoi National Book Award for fiction dhe International Literary Prize, duke i dhënë nderin Bellow-t të jetë fituesi i parë amerikan i këtij çmimi. Romani është vlerësuar shumë për portretin e tij depërtues, ndonjëherë humoristik, të një mesoburri në kërkim të kuptimit dhe të vetvetes në Amerikën plot me ankth të viteve ‘60.

“Herzogu” ka shtrirjen, thellësinë, forcën, imagjinatën – mendjen dhe zemrën – të cilat mund t’i presësh vetëm nga një roman që është i paracaktuar të mos harrohet kurrë.

/Shqip.com