Vitia: Testet për COVID-19 donacion nga Serbia – do të asgjësohen

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, është deklaruar rreth një mijë testeve që Serbia ia kishte dhuruar Kosovës si donacion gjatë qeverisjes Kurti 1, transmeton Shqip.com.
Vitia derisa iu përgjigj pyetjes së deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se këto teste do të asgjësohen.
“Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së ato ruhen si shumica e materialeve tjera dhe nuk janë përdorur asnjëherë. Ato do të trajtohen si materialet tjera me afat të skaduar. Meqë nuk kërkohen procedura të veçanta të asgjësimit, kjo nënkupton se do të asgjësohen në mundësinë e parë bashkë me mbetjet tjera”, ka thënë ai.
I pari i shëndetësisë tha se problem është edhe asgjësimi i shumë barërave të cilat janë blerë nga qeveritë e kaluara – por tashmë iu ka skaduar afati.
“Hallin më të madh qeveria e ka me tonelata barëra të cilat kërkojnë procedura specifike për asgjësim, të cilat janë blerë nga qeveritë e kaluara, e që fatkeqësisht tani janë me afat të skaduar, mirëpo edhe kësaj do i bëjmë një zgjidhje”, shtoi Vitia. /Shqip.com