Lajme

Viti i grevave e i përplasjeve Sindikata-Qeveri

Lajmi me Audio

Qeveria dhe Sindikatat kishin një vit të hatër mbetjeve e akuzave të dyanshme.

Mosaprovimi i kërkesës së sindikatave për ndarjen e 100 eurove çdo muaj për punëtorët e sektorit publik, deri në miratimin e Ligjit për Pagat, solli jo pak probleme e debate të ashpra mes dy palëve.

Kjo kërkesë nuk mori përgjigje pozitive e veprimi pasues i sindikatave, përkatësisht Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës shpalli grevën e jashtëzakonshme më 25 gusht dhe kryetari i saj, Atdhe Hykolli, kishte deklaruar se kjo gjendje do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Edhe pse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit mësimor me 1 shtator, mësimi nuk filloi, kjo për faktin se SBAShK-u qëndronte stoik ndaj kërkesës së tyre.

Përkundër shumë përplasjeve në mes pushtetit dhe sindikatave, më së shumti ata që pësuan ishin prindërit dhe fëmijët.

Prindërit kërkonin pezullimin e grevave, sindikalistët kërkonin takime me pushtetin, Qeveria herë pas here lëshonte deklarata që acaronin raportet në mes këtij trekëndëshi.

Madje, kryeministri Kurti, i kishte quajtur sindikalistët si të afërt me PAN-in, gjë e cila mohohej kategorikisht nga sindikata.

Gjërat shkuan aq larg sa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaroi se nuk do t’ua procedonte pagat grevistëve. Krahas kësaj, kishte kërkuar të dhëna të përditësuara nga komunat për punëtorët të cilët nuk iu kishin përgjigjur grevës.

Pas shumë polemikash dhe përplasjesh, u krijua një përçarje në anëtarësinë e SBAShK-ut. Disa nga shkollat dhe stafi arsimor dolën kundër sindikatës, duke pezulluar grevën.

Duke e parë gjendjen në terren, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj pezulloi grevën dhe procesi mësimor filloi më 3 tetor, duke u paralajmëruar edhe një rikthim në grevë në janar të 2023-s.

‘Drama’ nuk mbaron këtu!!!, MAShTI, doli me një kalendar të vitit shkollor që parashihte zëvendësimin e ditëve të humbura për shkak të grevës. Ky zëvendësim do të bëhej gjatë të shtunave, gjë e cila u refuzua edhe nga mësimdhënësit edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Shumë nxënës nuk iu përgjigjeshin ftesës së dikasterit që udhëheq formimin e tyre profesional dhe shkollor.

Takimi i shumëpritur në mes Kurtit dhe sindikalistëve erdhi, por deklaratat pas takimit ishin paksa fyese dhe ofenduese.

Kurti tregoi se Jasharaj i kishte thënë në takim “Ndihmona si vëlla, ami 100 euro”. Jasharaj nuk hodhi ‘pluhur’ në vërtetësinë e kësaj deklarate, por tha se nuk i kishte kërkuar ato 100 euro për vetën e tij.

Deklarata dolën edhe kundër ministres, Arbërie Nagavci. Sipas Jasharajt, Nagavci po shkaktonte përçarje në mes anëtarësisë me vendime tejet subjektive.

Ndërsa, si vendim i fundit nga MASHTI-t në raport me SBAShK-un janë edhe shkëputja e Kontratës Kolektive.

Këto kontrata ishin nënshkruar më 21 janar të vitit 2021, në kohën sa Avdullah Hoti ishte kryeministër.

Megjithëse, ende nuk ka një vendim se si do të veprohet pas shkëputjes së Kontratës Kolektive, sa i përket grevave në arsim, Kryesia dhe Këshilli Grevist i kanë kërkuar Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës – SBASHK që t’i drejtohet BSPK-së që të marrë vendim për mbylljen e grevës së pezulluar më 1 tetor 2022.

Ky propozim është votuar në një takim përmbyllës së SBASHK-ut dhe kjo ka ardhur pasi Kuvendi kaloi Ligjin e pagave dhe se i njëjti pritet të nis së implementuari nga shkurti i vitit 2023.

/Shqip.com